Korçë, 26 mars 2014 – Babai që goditi të birin me sëpatë në kokë teksa flinte në gjumë, kërkoi falje në sallën e gjyqit dhe shprehu pendesën e tij për aktin e rëndë. Thoma Sejdarasi ka rrëfyer në sallën e gjyqit rrethanat e ngjarjes dhe arsyet pse ndërmori aktin kriminal.

Pasi është kthyer i dehur në shtëpi, 52-vjeçari ka dalë në ballkon ku ka marrë sëpatën dhe i ka hyrë në dhomë të birit duke e goditur një herë në kokë. Sipas ekspertëve, gjendja e dehur mund të ketë ndikuar tek gabimi i shënjestrës dhe forca e goditjes, pasi pasojat mund të ishin tragjike. Nga goditja 23-vjeçari ka marrë plagë të rëndë, por pa rrezik jete.

I pyetur në sallën e gjyqit, vetë i dyshuari ka pranuar krimin, por mohoi të kishte qëllim vrasjen. I pyetur për arsyen, Sejdarasi ka thënë se “djali ishte agresiv, nuk më dëgjonte dhe më kritikonte, madje edhe na dhunonte”. Në prokurori 52-vjeçari ka pretenduar se i biri konsumonte lëndë narkotike, por dëshmia e nënës së djalit dhe vetë të riut rrëzojnë pretendimet e të dyshuarit.

“Kërkoj falje dhe jam penduar, por nuk e dija se do i shkaktoja kaq dëme”, ka thënë Sejdarasi para gjyqtarit të gatshëm. Për 52-vjeçarin, gjykata dha masën “arrest me burg”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/