47-vjeçari, Orgest Xhelili, që goditi me thikë ish-kryetarin e Bashkisë së Divjakës, Fredi Kokoneshi një vit më parë, në atë kohë kryetar, akuzohet për vrasje të funksionarëve publikë e mbetur në tentativë dhe plagosje të rëndë me dashje.

Xhelili goditi edhe shoferin e kryetarit të bashkisë, i cili ka ndërhyrë për të ndalur sulmin.

“Ky shtetas, për motive të dobëta ka goditur me armë të ftohtë ish-Kryetarin e Bashkisë Divjakë shtetasin F.K, duke i sjellë dëmtime që kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit. I pandehuri O. Xh, në të njëjtën kohë ka goditur shtetasin G.B., (shoferi i shtetasit F.K), i cili ka ndërhyrë për të ndaluar sulmin dhe nga goditja ai ka marrë dëmtime të cilat kanë qenë të rrezikshme për jetën në çastin e shkaktimit”, thotë Prokuroria e Fierit.

Orgest Xhelili e ka pranuar plagosjen e ish-kryebashkiakut Fredi Kokoneshi dhe të shoferit të tij Gazment Bullari.

47-vjeçari ka thënë se ish-kryebashkiaku i Divjakës Fredi Kokoneshi e hoqi padrejtësisht nga puna dhe për këtë arsye e sulmoi.