Pas dy ditësh në qeli, Enver Kasa, i cili goditi me thikë në qafë një 32-vjeçar italian, është lënë i lirë.

Ngjarja ka ndodhur të martën në Giaveno të Italisë, ndërsa i plagosur ka mbetur Simone Girardi, i cili arriti t’i mbijetojë sulmit.

Gjyqtari Stefano Vitelli e ka quajtur të ligjshëm arrestimin e 48-vjeçarit Kasa, që mbrohet nga avokati Stefano Tizzani, por ka caktuar ndaj tij arrest shtëpiak, që shqiptari do ta kryejë në banesën e tij në Valgioie.

Sipas policisë, grindjet mes muratorit shqiptar dhe italianit vijonin prej kohësh. Kasa nuk ishte i kënaqur nga pagesa e italianit lidhur me disa rikonstruksione që kishte bërë në banesën e tij. Ai pretendonte edhe 12 mijë euro të tjera, para këto që 32-vjeçari italian nuk ia jepte.

Gjatë paradites së të martës, ata kanë pasur debate të nxehta dhe u takuan sërish gjatë pasdites në qendër të  Giaveno-s. Sapo zbriti nga automjeti, Kasa nisi të shajë italianin dhe mes tyre lindi një përleshje, pikërisht para syve të një patrulle policie.

Por, para se të ndërhynin efektivët, Kasa nxori një thikë me teh rreh 8 cm dhe e goditi Tizzani-n në qafë. Ky i fundit u dërgua në spital dhe arriti t'i mbijetojë sulmit. Ndërkohë, Kasa, i përshkuar si një “punëtor i qetë dhe i ndershëm”, akuzohet për tentativë vrasje dhe mbajtje të pajustifikuar të armëve, raporton “La Stampa”.