Lojtari më i shtrenjtë në botë, Neymar Junior, u pezullua vetëm tri ndeshje për veprimin e shëmtuar ndaj tifozit të Rennes, në përfundim të finales së Kupës së Francës. Kjo do të thotë se sulmuesi brazilian nuk mund të jetë në dispozicion të trajnerit Thomas Tuchel për tri ndeshjet e fundit të kampionatit, ndaj Angers, Dijon dhe Reims.

Neymar mbyll kështu një sezon për t’u harruar me PSG, ku luajti rregullisht vetëm gjatë fazës së parë të kampionatit, pasi në shkurt pësoi një dëmtim të rëndë në kavilje, që e mbajti për disa muaj jashtë.

Rikthimi në fushë rezultoi i pafat, pasi humbi edhe finalen në Kupën e Francës, pasi më parë ishte eliminuar nga Champions-i dhe Kupa e Ligës.