Korçë, 14 gusht 2014 – Historia e tentativës së vrasjes së 21-vjeçarit nga i ati në mars të këtij viti. Thoma Sejdarasi nga Korça ka qëlluar dy herë me sëpatë në kokë djalin e tij, teksa ky i fundit ishte duke fjetur në banesën e tij. Ngjarja është rregjistruar në marsin e këtij viti, ku i pandehuri Thoma Sejdarasi, është kthyer në banesën e tij në gjendje të dehur. Ai fillimisht e ka goditur lehtë në faqe duke i thënë “akoma fle”. Djali, i cili ishte duke fjetur nuk i është përgjigjur.
Dëshmia e nënës
Ai ishte duke fjetur në kuzhinë dhe në një moment ndien dhimbje në pjesën e kokës. Pasi është përmendur ka vënë re se ndodhej në spital. Nuk e ka ditur se çfarë ka ndodhur me të, derisa i kanë treguar të afërmit se babai kishte tentuar ta vriste me sëpatë. Kjo është historia që i ka ndodhur Albano Sejdarasit, 21-vjeçarit nga Korça me babanë e tij, Thomain. Ky i fundit është arrestuar dhe ka përfunduar në Gjykatën e Krimeve të Rënda për tentativë vrasjeje në familje. Prokuroria thotë se ndaj 52-vjeçarit rëndon akuza e “vrasjes për shkak të marrëdhënieve familjare”, të mbetur në tentativë dhe është hetuar në masën e sigurimit “arrest me burg”.
Historia
Sipas dosjes së prokurorisë, më 22 mars të 2014-s, Albano Sejdarasi ishte duke fjetur gjumë dhe papritmas është gjendur në spital, me plagë të ndryshme në pjesën e kokës. Përpara hetuesve, ai nuk ka qenë në gjendje që të shpjegojë se cili ka qenë personi që e ka goditur apo me çfarë mjeti. Sipas tij, deklarime më të detajuara mund të japë e ëma, e cila ka qenë në banesë gjatë gjithë kohës. Rozeta Sejdarasi ka shpjeguar se rreth orës 12:30 të 22 marsit është kthyer në banesë bashkëshorti i saj, Thomai, i cili kishte dalë prej orës 08:00 të mëngjesit. Fillimisht, ai ka pyetur se ku ndodhej djali dhe më pas ka shkuar tek ai. E ka goditur lehtë në faqe, duke i thënë “akoma fle”. Djali, i cili ishte duke fjetur nuk i është përgjigjur dhe Rozeta ka vazhduar të kryejë punët e saj të përditshme. Thomai ka shkuar në ballkon, vendin ku familja mban drutë dhe ka marrë një sëpatë të vogël. Ajo ishte duke gatuar kur ka dëgjuar dy herë një zhurmë të fortë. Pas kësaj ka hyrë te dhoma ku flinte Albano dhe ka parë djalin të mbuluar të gjithin me gjak, ndërkohë që bashkëshorti kishte një sëpatë në dorë. Në çastin që ajo i ka thirrur djalit në emër, bashkëshorti e ka goditur edhe një herë me sëpatë. Ajo është munduar të telefonojë urgjencën, si dhe policinë, ndërkohë që pyetjes së bashkëshortes se çfarë kishte bërë, Thomai i është përgjigjur “Mirë ia bëra. Do të vras dhe ty!”. Pas kësaj, ajo ka telefonuar motrën e saj, Tefta Demirazi, e cila më pas ka marrë një taksi për të shkuar te shtëpia e Rozetës. Të dyja kanë marrë Albanon dhe e kanë transportuar në spitalin civil të Korçës. Në dëshminë e dhënë në prokurori, Tefta Demirazi ka konfirmuar thëniet e motrës së saj, Rozeta Sejdarasi, lidhur me mënyrën se si ka ndodhur ngjarja. Midis të tjerave, ajo ka deklaruar se një prej shkaqeve që mund të ketë çuar në kryerjen e kësaj vepre penale është fakti se Thomai konsumonte vazhdimisht pije alkoolike.
Pretendimi
Ndërkaq Thoma Sejdarasi, në praninë e avokatit mbrojtës, ka shpjeguar se prej disa vitesh, ata si familje kanë pasur probleme me djalin e tyre, Albanon, i cili kur nuk i jepnin lekët që kërkonte, i dhunonte fizikisht të dy prindërit. Sipas tij, ata nuk e kanë denoncuar këtë lloj dhune në organet shtetërore, pasi u vinte keq për 21-vjeçarin. Për sa u përket veprimeve të kryera në datën 22 mars 2014, ai ka shpjeguar se nuk ka pasur për qëllim ta vriste djalin, por vetëm ta frikësonte dhe se ndihet i penduar për veprimin e kryer.





