Shqiptari në kërkim për vrasjen e dyfishtë në vitin 2017, Laert Haxhiu është arrestuar pas një ndjekjeje si nëpër filma nga oficerët e Janinës në shtetin fqinj.
Mediat greke thonë se gjithçka ka nisur kur efektivët e policisë i kanë bërë shenjë drejtuesit të mjetit të ndalojë në zonën e Eleuzës së Janinës. Ai nuk iu bind dhe i dha gaz makinës për t’u arratisur.
Gjatë ndjekjes, mjeti, i cili nuk ka mundur të ndalojë me sinjalin e policisë, ka përplasur tre automjete, ka ngecur në semafor dhe më në fund është ndalur kur ka përplasur një bordurë dhe ka shpërthyer një gomë, duke shkaktuar hapjen e airbagëve.
Më pas policia e ka arrestuar drejtuesin dhe dy pasagjerët e tjerë që ndodheshin me të.
Sipas ERT, nga hetimet rezultoi se një nga tre të arrestuarit ishte shqiptari, i cili kërkohej si pjesëtar i një grupi kriminal dhe akuzohej për vrasje dhe tentativë vrasjeje në Shqipëri. Gjithashtu ndaj tij ishte shpallur “njoftimi i kuq” nga Interpoli.
Laert Haxhiu ishte i shpallur në kërkim për vrasjen e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017 në Lushnjë.
Ai qëndronte në shtetin fqinj me dokumente të falsifikuara. Në lejen e qëndrimit grek, ai mbante identitetin si Mikis Askalidis, 32 vjeç, lindur në Gjeorgji.
Haxhiu i dënuar me 18 vite burg nga Gjykata e Lushnjës, pritet të ekstradohet drejt vendit tonë, ndërsa mbi të rëndojnë veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.





