Eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka komentuar në Euronews aksionin e SPAK në Fushë-Krujë, ku u godit një grup i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge. Sipas tij, tre anëtarë të grupit dyshohet se janë larguar drejt Emirateve, ndërsa 11 urdhra arresti janë ekzekutuar.
Karamuço theksoi se zona e Fushë-Krujës dhe Malësisë së Krujës ka qenë prej vitesh nën dyshim për kultivim të Cannabis sativa dhe aktivitete të tjera kriminale, përfshirë vrasje me pagesë. Sipas tij, grupi dyshohet se furnizonte vende të ndryshme të Evropës me drogë dhe përdorte edhe linja të veçanta për shpërndarjen e kokainës.
Ai e përshkroi grupin si “gjeneratë e dytë, e fuqizuar dhe e sofistikuar”, me shtrirje të aktivitetit në disa shtete europiane dhe lidhje deri në Amerikën Latine. Hetimet janë koordinuar me Turqinë, Malin e Zi dhe disa vende të tjera, falë informacionit të siguruar nga platformat e enkriptuara si SkyECC.
Sipas Karamuços, disa prej personave të shpallur në kërkim konsiderohen të rrezikshmërisë së lartë dhe dyshohet se kanë mundur të largohen drejt Dubait pak para finalizimit të operacionit.





