Një megaoperacion ndërkombëtar është zhvilluar në pesë shtete europiane, ku janë goditur katër rrjete të fuqishme kriminale. Në total janë arrestuar 234 persona dhe janë sekuestruar mbi 21 ton lëndë narkotike.

Operacioni, i udhëhequr nga Europol, konsiderohet si një nga më të mëdhenjtë e viteve të fundit kundër krimit të organizuar. Europol e ka cilësuar ndërhyrjen si “një goditje çekiçi për krimin e organizuar”.

Rrjetet kriminale ishin të përfshira në trafik droge, pastrim parash dhe krime të dhunshme. Sipas hetimeve, kokaina transportohej nga Amerika e Jugut drejt Turqisë dhe vendeve të Europës përmes rrugëve detare dhe tokësore, heroina vinte nga Irani dhe Afganistani, kanabisi përmes Ballkanit, ndërsa pilulat ekstazi (MDMA) shpërndaheshin nga vende të tjera europiane.

Policia ka sekuestruar 3.3 milionë tableta MDMA, 681 prona, 127 automjete dhe rreth 300 milionë euro para cash. Operacioni u zhvillua në Turqi, Belgjikë, Gjermani, Spanjë dhe Holandë, ku vetëm në Turqi janë arrestuar 225 persona.

Një rol kyç në këtë goditje pati ndarja e të dhënave të koduara të komunikimit të rrjeteve kriminale nga Sky ECC dhe ANOM, të cilat kishin rënë më parë në duart e autoriteteve. Mesazhet e përgjuara ndihmuan hetuesit në identifikimin e drejtuesve të bandave dhe në finalizimin e operacionit.

Sipas përfaqësuesit të Europol, Andy Kraag, priten ende arrestime të tjera në vazhdimësi të hetimeve.