Gazetari, Dorand Vojka i ftuar këtë të premte në emisionin “Balkan Talks” me Franko Egro në Euronews Albania ka folur lidhur me luftën në Iran. Vojka gjatë fjalës së tij u shpreh se  Izraeli së bashku me Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë goditur dy fabrikat më të mëdha prodhuese të hekurit në Iran.

Sipas tij SHBA dhe Izraeli kanë një strategji që përmes bombardimit të forcave ushtarake të eliminojnë Iranin si një forcë konkurruese të Izraelit në rajon. Ai theksoi se qëllimi është që Izraeli të kthehet në superfuqi në Lindjen e Mesme dhe SHBA dëshiron që aleati i tij të jetë i fortë në këtë zonë dhe të dy vendet të mos kenë konkurrentë.

“Forcat ushtarake të Iranit dolën në një deklaratë dhe thanë që ne do ta kthejmë atë nderin që na bënë në të gjithë rajonin. Po ç’do të sjelli kjo? Po kjo do të sjelli një dobësim jo vetëm të Iranit. Pra ta kuptojmë që Irani kërkohet të dobësohet sepse ai është rivali kryesor kundër Izraelit.

Por në qoftë se Irani kundërpërgjigjet ndaj vendeve ku Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bazë dhe nga vendet ku vetë Irani tha që do të kundërpërgjigjet në Arabinë Saudite, në Oman e kështu me radhë, ç’do të sjelli kjo?

Kjo do të sjelli rrënimin, rrënimin total të këtyre vendeve dhe kthimin e Izraelit në një superfuqi totale për rajonin. Dhe siç thashë, në qoftë kuptojmë këtë atëherë kuptojmë që Izraeli ka një mision të vetëm. Izraeli misionin e vetë ka bombardimin e infrastrukturës civile, infrastrukturës qytetare të Iranit, bombardimin e infrastrukturës policore në mënyrë që të ketë një ndryshim regjimi në Iran”, tha ai ndër të tjera.