Java e 16-të e Superligës në basketboll për meshkuj është mbyllur me 2 ndeshjet e mbetura. Në Durrës, ekipi i Teutës mundi 85-81 Partizanin pas kohës shtesë. Një përballje mjaft e bukur mes dy prej skuadrave më të mira në vend e pretendente për titull, që dueluan deri në fund për fitore.
Partizani tentoi surprizën, por u dorëzua në minutat shtesë. Ndeshja është e ekuilibruar përgjatë gjithë kohës, ku herë udhëheq njëri ekip e herë tjetri. Në minutat e fundit, durrsakët kanë një avantazh të lehtë, por nuk arrijnë të fitojnë, pasi Partizani beson te fitorja dhe barazon në fund me Gjonajn (73-73 koha e rregullt).
Koha shtesë dominohet nga Teuta, që shkëputet e fiton 85-81, duke marrë një fitore të rëndësishme, që e mban në vendin e dytë. Ndërsa Partizani ndan vendin e tretë me Tiranën.Fitorja e Goga Basket ndaj Vllaznisë me shifrat 107-77 ishte e lehtë, një ndeshje e dominuar nga basketbollistët durrsakë, që u shkëputën që në 10-minutëshin e parë.
Me kalimin e minutave epërsia e vendasve rritet edhe më shumë, pasi Vllaznia nuk ka ritmin e ekipit të Gogës. Për pasojë, shkodranët dorëzohen shpejt dhe humbja i lë sërish në vendin e fundit, me pikë të barabarta me Kamza Basket, ndërsa Goga konsolidon kreun.





