* Pas 40 vitesh rikthehet në qytetin bregdetar basketbolli i femrave

* Astrit Greva dhe 10 vajzat e tij, tashmë me siglën e ekipit Goga Basket – Durrës

* Akademia Goga Basket, pjesëmarrëse në të gjitha kategoritë e përfaqësimit

Nga BUJAR QESJA

23 shtator 2015–  Zhvillime të reja shoqërojnë basketbollin durrsak. Dhe këtu merita padyshim i takon krijimit të shoqatës “Dhimitraq Goga”, me president drejtuesin e kompanisë së njohur “Diamant” Perikli Goga. Krijimi i shoqatës Goga Basket u shoqërua me shpejtësi me ndërtimin e akademisë së basketbollit. Tani në këtë akademi, sipas drejtorit të saj Pjerin Bushati, stërviten për çdo ditë 145 basketbollistë të të gjitha kategorive të moshave, të drejtuar nga 8 trajnerë. “Jemi në një punë të jashtëzakonshme, ku çdo gjë nisi nga e para. Po shfrytëzojmë palestrat e shkollave, terrenin e hapur të parkut sportiv “Nako Spiro”, parketin e pallatit të sportit, e ku të mundemi me dëshirën dhe qëllimin e mirë të rizgjojmë traditat e sportit të koshit në Durrës”. Kështu deklaron i mirënjohuri Pjerin Bushati, që iu përgjigj me shpejtësi thirrjes së Perikli Gogës, për t’u vënë në krye të akademisë, sipas përvojës 20-vjeçare të krijuar në Itali.

Sa i takon angazhimit të tij si trajner i Teuta Basket, Bushati nuk ka dëshirë të shprehet më shumë se kaq: “Është gjë e lënë pas, pasi ata që e drejtojnë këtë Teuta Basket, nuk iu përmbajtën marrëveshjes së firmosur ndërmjet dy shoqatave dhe e prishën atë. Më duket se tani atje është vendosur tjetër trajner, por tashmë kjo është punë e tyre. E gjithë vëmendja e jonë, pas këtyre zhvillimeve, është përqendruar tek përfaqësimet e Goga Basket. Dhe mund t’ju konfirmoj se jemi në gjendje të përfaqësohemi në të gjitha nivelet e veprimtarive që organizon Federata Shqiptare e Basketbollit”.

VAJZAT E PARA TË “GOGA BASKET”

Në kalendarin e hedhur këto ditë në selinë e FSHB-së, ndër tetë ekipet më të mira të superligës shqiptare është edhe Goga Basket. Sipas ndihmësit të teknikut Greva, Vladimir Xheka, në FSHB është dorëzuar lista  e plotë me 10 basketbolliste, të cilat pritet të regjistrohen zyrtarisht. Ajo që meriton të vlerësohet, është mesatarja shumë e re e moshës: 21.7 vjeç. “Veteranet” 28-vjeçare janë Dorina Mehmeti dhe Fabiola Përmeti. Dajana Baraj është më e reja, 16-vjeçare, Petra Kumi 17 dhe Tea Memushi 19. Detyrën e qendrës e luajnë 22-vjeçarja Paradisa Memçaj dhe 23-vjeçarja Jona Ustalli, ndërsa në detyrën e lojtares anësore janë Enxhi Xhanaj, Ebi Dishnica, Igena Qypi. Për t’u veçuar është fakti se basketbollistja më me përvojë Dorina Mehmeti dhe më e reja Dajana Baraj, kanë mbi shpatullat e tyre detyrën e organizimit të lojës. Kjo është dhjetëshja historike, pasi është i pari formacion i Goga Basket, në sezonin e parë përurues të saj. Krahas ekipeve veterane të basketbollit shqiptar si Flamurtari, Tirana, Studenti. Vllaznia renditet tashmë edhe “krijesa” më e re e superligës, Goga Basket. “Ndiej kënaqësi dhe krenari njëkohësisht, – shprehet anëtari i Kryesisë së shoqatës Goga Basket Zhani Noti – që arritëm më në fund të përfaqësojmë Durrësin pas një mungese 40 vjeçare në basketbollin shqiptar. Kemi nisur një punë të madhe edhe këtu. Në krye të krijimit të ekipeve të moshave për femra, kemi vendosur basketbollisten e shquar durrsake të viteve 70 Zhuljeta Veterniku dhe kolegun e  saj Ondi Prifti. Me punën që po bëjmë, garantojmë pjesëmarrjen për U-16 dhe U-18. Shorti na vendosi në javën e parë, që fillon me 2 tetor, të luajmë me Studentin në Durrës. Dhe jemi me fat që pranoi të drejtoj ekipin, trajneri më në zë i basketbollit tonë Astrit Greva”.

CILI ËSHTË ASTRIT GREVA

Lindur në Vlorë me 3 shtator 1936 dhe sapo mbushi 79 vjeç. Nisi të trajnojë ekipin e Partizanit në vitin 1959 dhe pa ndërprerje deri më 1991-shin, duke qenë figurë qendrore e basketbollit shqiptar. Është diplomuar në Institutin e Kulturës Fizike e Sporteve “Vojo Kushi”, duke ushtruar mësuesinë në këtë lëmi në shkollat “Kosova”, “1 Maji” dhe Shkollën e bashkuar ushtarake “Skënderbej”. Krahas 35 viteve trajner i ekipit të Partizanit për meshkuj, është parë edhe në drejtimin për 6 sezone në basketbollin e femrave. Është Trajner i merituar. Drejtoi ekipin kombëtar në periudhën 1968-1991. Greva është 27 herë kampion kombëtar. Ai është përgatitësi i basketbollistëve të mëdhenj të basketbollit shqiptar si Agim Fagu, Gazmend Çaçi etj. Pas vitit 1991, kohë kur doli edhe në pension, punoi si trajner në qendrën e minibasket Tirana, duke u angazhuar aktivisht me moshat e vogla 7-14 vjeç. “Shpresojmë shumë, shprehet një tjetër drejtues i Goga Basket, Ylli Ballanca, se lavdia e karrierës së Astrit Grevës në fushën e trajnimit në basketbollin shqiptar, do t’i japë shtysë të rëndësishme rizgjimit të basketbollit të femrave të ish-Lokomotivës së njohur”.

EMOCIONET E RIZGJIMIT

Merita e Perikli Gogës, është se në ndihmë të basketbollit durrsak ofron specialistë me përvojë dhe të rinj, nga ato me “mjekërr” dhe ende të paprovuar. Është tejet pasionant Pjerin Bushati, i cili sapo kaloi me sukses organizimin e turneut memorial ndërkombëtar, kushtuar emrit të njohur të basketbollit durrsak Spiro Hotova,  kur vëren se ndjehet mobilizim i paparë për të shkundur nga plogshtia dhe letargjia basketbollin. “Është një grup shumë aktiv në mbështetje të rilindjes dhe rishfaqjes së vlerave të basketbollit, tërheq vëmëndjen në reagimin e tij për portalin “DurresLajm” Bushati. Që nga 83-vjeçari Gjon Luli, të tjerë e të mirënjohur si Nysret Reka, Haxhi Boshnjaku e Besnik Çela, e deri tek më të rinjtë si Osvald Turmalaj, Olti Shtëmbari, Ondis Prifti, Milaim Lubishta etj. që punojnë me moshat. Është mësuar se Goga Basket, duke punuar pa u ndalur që nga muaji prill e në vazhdim, është e gatshme të përballojë me sukses të gjitha organizimet kombëtare të FSHB-së.” Është mësuar se Besnik Çela është trajner i Goga Basket në kategorinë e parë grupi A, ku konkurrojnë edhe pesë ekipet e tjera si Super Klima, ABC, Igëll nga Tirana dhe Elbasani me Skënderbeun. Synimi është superliga, e më pas gjëra befasuese e supriza të pafund. “Është krijuar besim i madh në të gjithë mjedisin ku punohet për rizgjimin e basketbollit, – thotë Goga dhe mbështetja ndjehet edhe nga opinioni sportiv i qytetit. Shpresojmë, shpresojmë shumë të bëjmë më të mirën, Do t’ia dalim.”

/portali DurresLajm/