Është mbyllur faza e parë në basketbollin e femrave për Grupin A. Goga Basket i është rikthyer kreut të tabelës së renditjes, duke e mbyllur këtë fazë e vetme në krye. Ajo, në ndeshjen e fundit të zhvilluar, në pallatin e sportit “Ramazan Njala” në qytetin e Durrësit, ka fituar ndaj shkodraneve 95-69.
Tjetër fitore për Goga Basket në shtëpi. Në javën e 5-të, skuadra e trajnerit Miltiadh Driza e ka mundur rivalen e Vllaznisë, ku ashtu siç dhe pritej, Goga e dominoi ndeshjen, duke treguar vazhdimësi në të gjitha drejtimet. Nga ana tjetër, edhe shkodranet bënë një paraqitje të kënaqshme, duke vendosur herë pas here në vështirësi bregdetaret. Pas ekuilibrit të fillimlojës, ndeshja zhbllokohet.
Skuadrat bëhen më të shkujdesura dhe rrjedhimisht shënohen shumë pikë në koshat respektive. Janë durrsaket, ato që, falë cilësive që zotërojnë, marrin avantazhin në pikë. Pas pjesës së parë, Vllaznia nuk dorëzohet dhe shikon më shumë nga sulmi. Kjo nuk i frikëson vendëset, të cilat kanë në çdo moment diçka më shumë dhe, si pasojë, e vendosin takimin nën kontrollin e tyre. Perioda e fundit i takon krejtësisht Gogës.
Vajzat durrsake, pa presionin e rezultatit shënojnë shumë, duke mos u dhënë mundësi rivaleve të shpresojnë më shumë. Me këtë fitore, durrsaket kthehen sërish në krye të tabelës së klasifikimit, me 10 pikë të plota. Kjo sfidë nuk pati shumë histori, me ekipin vendës që u shkëput që në periodën e parë, duke thelluar shifrat me kalimin e minutave. Një rezultat i pritshëm, duke parë dhe diferencat në fushë mes këtyre dy skuadrave.
Sakaq, Flamurtari zbret në vendin e dytë, në përfundim të ndeshjeve të fazës së parë, pasi kryesoi renditjen vetëm për një natë. Ndërkohë që e treta e mbyll Tirana e me radhë Studenti e Vllaznia, duke qëndruar në fund Skënderbeu, i cili nuk ka shijuar ende një fitore.