I ftuar në emisionin “Now me Erla Mëhillin”, Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Toni Gogu, ka sqaruar ndryshimet ligjore të propozuara nga PS, duke theksuar se ato nuk kanë të bëjnë me pezullimin e funksionit kushtetues apo me shmangien e hetimeve, por me garantimin e vijimësisë së funksioneve kushtetuese.

Gogu u shpreh se debati nuk lidhet me faktin nëse një ministër apo zyrtar i lartë duhet të hetohet.

“Këtu nuk po diskutojmë nëse do hetohet apo jo ministri. Do hetohet ministri, zëvendëskryeministri, kryeministri, po të doni të gjithë. Kjo nuk diskutohet. Prokuroria sot vazhdon hetimin dhe e ka të garantuar këtë”, tha Gogu.

Sipas tij, prokuroria ka në dispozicion të gjitha mjetet për të garantuar hetim të qetë dhe të paanshëm.

“Prokurori vendos masa që të mund të hetojë në mënyrë të qetë. Nëse ka shqetësim për kontaktet, ato kufizohen. Nëse dikush largohet jashtë shtetit, i merret pasaporta. Pra masat ekzistojnë dhe garantojnë hetimin”, tha ai.

Deputeti socialist theksoi se çështja e ngritur lidhet me përplasjen mes nenit 242 të Kodit të Procedurës Penale dhe rregullimeve kushtetuese për funksionet e caktuara.

“Ne iu drejtuam Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar kush e ka kompetencën dhe si mund të sigurojmë që funksionet kushtetuese, të cilat janë të padelegueshme, të mos paralizohen. Gjykata konstatoi se ekziston një problem dhe se ka debat më të gjerë për këtë çështje”, u shpreh ai.

Gogu nënvizoi se ndryshimet e propozuara nuk prekin imunitetin kushtetues.

“Nuk po ndryshojmë Kushtetutën dhe nuk po prekim imunitetin. Po flasim për një rregullim procedural që lidhet me funksionimin e funksioneve kushtetuese, në mënyrë që të mos paralizohet shteti.”

Sipas Gogut, bëhet fjalë për masën e pezullimit nga detyra, jo për masat shtrënguese që lidhen me lirinë personale, si arresti.

“Këtu po flasim për masë ndaluese që ka të bëjë me pezullimin e funksionit. Masat shtrënguese kanë të bëjnë me lirinë e personit. Në rastin e funksioneve kushtetuese, që janë të përcaktuara nominativisht në Kushtetutë, ato nuk mund të zëvendësohen. Ky është argumenti ynë”, tha ai.

Ai shtoi se qëllimi i ndërhyrjes është korrigjimi i pasojave që mund të krijohen për funksionimin e qeverisë dhe institucioneve të tjera kushtetuese.

“Kompetencat janë të përcaktuara në Kushtetutë. Kur kemi të bëjmë me funksione të tilla, që nuk mund të delegohen, duhet të sigurojmë që shteti të vazhdojë të funksionojë. Për këtë arsye kërkuam një interpretim, dhe tani çështja i është drejtuar Parlamentit për rregullim”, tha deputeti i PS-së.