Pas polemikave të madha të krijuara shtatorin e kaluar mes basketbollistëve të skuadrës së Golden State dhe presidentit të Amerikës, Donald Trump, më në fund vjen edhe zyrtarizimi. Skuadra kampione e NBA-së nuk do të shkojë në Shtëpinë e Bardhë për të takuar presidentin e Amerikës më datën 1 mars, duke thyer kështu traditën.
Çdo vit, skuadra kampione e NBA-së, gjatë udhëtimit që bënte në Washington për të luajtur ndaj skuadrës së këtij qyteti (Washington-Golden State do të luhet më 1 mars), takonte edhe presidentin e Amerikës. Por këtë herë kjo gjë nuk do të ndodhë, pas përplasjes që lojtarët e Warriors dhe jo vetëm ata patën me kreun e shtetit.
CNN deklaron se basketbollistët e ekipit kampion të NBA-së do të shkojnë në muzeun Afro-Amerikan të Historisë dhe Kulturës që ndodhet në Washington, së bashku me një grup të rinjsh.
“Nuk duam të politizojmë asgjë. Thjesht do të vizitojmë këtë muze me disa fëmijë dhe t’u tregojmë atyre gjëra që na i ka mësuar jeta dhe shpresojmë që ata ta mbajnë mend këtë leksion”, tha Klay Thompson, një nga yjet e skuadrës së Golden State.
Ftesa e presidentit të Amerikës për skuadrën e Golden State u tërhoq pas nga kreu i shtetit, pas polemikave që ai pati me Stephen Curry dhe deklaratave të Trump për sportistët e zinj dhe protestave që ata bënë gjatë himnit amerikan.