Nga Besnik Vathi*

Investitor Strategjik duhet konsideruar ai që investon në turizëm – jo në Rezidenca Banimi. Përndryshe, nuk behet gjë tjetër veçse Golemizimi i të gjitha zonave në zhvillim për turizëm.

Në fillim të viteve 90 kam qenë në strukturën e Ministrisë së Turizmit, kur u formulua me ndihmën e dy këshilltarëve të huaj Strategjia e parë e Zhvillimit të Turizmit. Bashkë me atë Strategji, u miratuan nga Qeveria edhe ligjet mbështetëse për investimet në Turizëm, ku Investitorët të huaj apo vendas përfitonin nga zhdoganimi i pajisjeve të importuara për ndërtime dhe investime në Turizëm. Dhe në këtë kuadër u dhanë disa licenca për ndërtimin e fshatrave turistike, nga të cilët, ndoshta vetëm një mban akoma profilin turistik, të tjerët janë Rezidenca Banimi.

Më pas, rrëmbimi dhe ndërtimi pa kriter, me leje dhe pa leje, ka bërë atë rrëmujë urbane, nga Ura e Dalanit e deri në Malin e Robit e më tej. Dhe kjo rrëmujë urbane është modeli më i gabuar i zhvillimit të turizmit në një vend.

Në disa intervista televizive, e kam theksuar shpesh që dhënia e licencave për ndërtime të hoteleve duhet të KUFIZOHET vetëm për ndërtime hotelesh dhe strukturash pritëse dhe jo për Rezidenca Banimi. Nuk kam asgjë me investimet për Rezidenca Banimi,

por:

Investimet për Rezidenca Banimi në Plazhe, duke qenë se bllokojnë hapësirat për Hotelet, zvogëlojnë burimet për të nxjerrë më shumë të ardhura në afat gjatë për vendin nga turizmi, këto nuk kanë pse të jenë pjesë e strukturave për turizëm dhe nuk kanë pse të cilësohen investime strategjike, nuk kanë pse të marrin përfitime (tokë falas nga shteti) ata që ndërtojnë Rezidenca Banimi.

Dhe shembujt negativ të investimeve të gabuara tashme janë:

  1. Shikoni Hotelin 5 yjesh në Gjirin e Lalzit. Rrethuar nga Rezidenca Banimi.
  2. Shikoni Plazhin në Palasë, a mund të ma gjejë kush Hotelin?? Nëse do ndërtohet, kur dhe ç’pjesë të Resortit me Rezidenca Banimi zë Hoteli?
  3. U dëgjua ditët e fundit se një licencë si investitor strategjik ishte dhënë një grupi të huaj dhe vendas për ndërtim hoteli dhe Rezidenca Banimi, ku Hoteli përbën rreth 20-25% të investimit.

Shqetësimi im është vetëm

  1. Investitor Strategjik duhet konsideruar ai që investon në turizëm – jo në Rezidenca Banimi. Përndryshe, nuk behet gjë tjetër veçse Golemizimi i të gjitha zonave në zhvillim për turizëm.
  2. Të Ruhet Pasuria bregdetare e vendit për Hoteleri e turizëm, për të pasur turizëm konkurrues dhe të qëndrueshëm, për brezat e ardhshëm dhe jo për Investitorët e tanishëm, që mund të përfitojnë tani nga shitja e Rezidencave të Banimit. /monitor

*Operator turistik