Portieri i Teutës, Stivi Frashëti, foli pas barazimit në sfidën ndaj Tiranës. Sipas 29-vjeçarit, Teuta kishte mundësi që të merrte tri pikët në kryeqytet nëse do ishin më të saktë para portës. Ai flet dhe për rastin e diskutueshëm, ku sipas Frashërit, topi nuk e ka kaluar vijën fatale.
Nuk dolët pa pikë nga Tirana. Jeni të kënaqur?
Siç e thatë dhe ju, e rëndësishme është që nuk dolëm pa pikë edhe pse rastet ndoshta ishin më të pastra. Me pak fat, mund t’i shfrytëzonim më mirë për të marrë maksimumin nga kjo sfidë, por dhe Tirana pati rastet e veta ku mund të na ndëshkonte. Morëm atë që mundëm dhe dolëm me kokën lart. Na duhet të punojmë më shumë për sfidën e radhës, çdo ndeshje është shumë e rëndësishme sidomos në fillim të kampionatit.
Keni kaluar jo pak momente të mira e të hidhura te Tirana. Ishte ky një motiv që të mos pësonit gol?
Unë përgatitem njësoj në çdo ndeshje për të dhënë maksimumin për të mos pësuar dhe gjithashtu për të ndihmuar ekipin sa më shumë. Çfarë ka kaluar, i përket së shkuarës. Jam i fokusuar gjithmonë tek e ardhmja dhe te sfida e radhës.
Ka diskutim për një gol fantazmë, e keni riparë rastin dhe tani që jeni më i freskët, mendoni se e kaloi topi vijën fatale?
Na e shpjegoni pak edhe dinamikën e aksionit? Për sa u përket aludimeve për një gol fantazmë, nuk di të them që ai top kaloi vizën. Arbitri ka qenë një metër larg dhe nuk besoj se do të gabonte nga aq afër, goditja ka qenë e fortë dhe reagimi i shpejtë, por personalisht ju them se ai top nuk e ka kaluar vijën fatale.





