Lorenco Vila ishte një nga lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen e djeshme. Mesfushori me tipare sulmuese shënoi edhe një gol, por që fatkeqësisht u anulua. Megjithatë, ai është i kënaqur që ka mundur ta ndihmojë ekipin dhe për më tepër duke e nisur kampionatin nga minuta e parë.

“Është e rëndësishme të fitojë skuadra, sepse fillimi i mbarë është gjysma e punës. Unë bëj maksimumin sa herë më jepet mundësia. Është kënaqësi të jem pjesë e kësaj skuadre. Do dëgjoj këshillat e trajnerit dhe jam gati për të bërë sezon të suksesshëm me Teutën. Skuadra tregoi nivel dhe mendoj se kemi një grup të mirë, por duam kohë. Më erdhi keq për rezultatin, sepse mund të fitonim edhe më thellë”, deklaroi fillimisht Vila. I pyetur nëse ndiente frikën e ndonjë barazimi, ai shtoi: “Nuk ka garanci rezultati 1-0. Je gjithmonë në tension. Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen më shpejt. Kemi dalë në shumë kundërsulme, por finalizimi nuk ka qenë aty ku duhet. Shyqyr që përfunduam me fitore”.

Në fund, sqaroi edhe anulimin e golit. “Sigurisht që më erdhi keq, pasi e kisha pritur këtë moment dhe festova shumë me shokët. Kur pashë që u anulua, pyeta arbitrin dhe më tha se goli ishte i parregullt para se topin ta merrja unë dhe të shënoja. Gjithsesi, unë besoj te vetja dhe nëse vazhdoj kështu, goli do të vijë shumë shpejt”, përfundoi talenti durrsak, i cili është vetëm 20 vjeç dhe bën pjesë në Kombëtaren Shpresa.