Shqipëria e nisi Europianin me humbje, pasi u mposht nga Italia, me rezultatin 2-1, në ndeshjen e vlefshme për Grupin B.

Kuqezinjtë e nisën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke kaluar në avantazh pas 24 sekondave me Nedim Bajramin. Megjithatë, italianët nuk u dorëzuan dhe ia dolën të përmbysin rezultatin shumë shpejt, falë golave të Bastoni në minutën e 11-të dhe Barella në minutën e 16-të.

Pjesa e dytë ishte më e qetë, ndërsa Manaj në fund kishte mundësinë e artë për të barazuar, por gjuajtja kaloi portën dhe shkoi jashtë.

Me këtë fitore, Italia barazon Spanjën me nga 3 pikë, ndërsa Shqipëria mbetet pa pikë, ashtu si Kroacia, me të cilën përballet me 19 qeshor.