Ndërsa tetori po shënon ditët e fundit të tij, flukset turistike në qytetin e Durësit vijojnë të jenë të konsiderueshme. Zgjatja e sezonit deri në fund të muajit tetor dhe më tej është një realitet i prekshëm në qytetin që deri para pak vitesh kishte gjallëri vetëm gjatë muajve të verës.
Për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Neritan Golja, sezoni i këtij viti ka qenë i suksesshëm dhe është reflektuar drejtpërdrejt në rritjen e xhiros për sektorë si hoteleria, gastronomia, tregtia dhe shërbimet.
Durrësi vijon ta mbajë kurorën e kryeqytetit shqiptar të turizmit dhe kjo e ka një arsye mjaft të qartë, raportin e drejtë dhe të mirë mes cilësisë dhe shërbimit që ofrohet. Dhe në këtë aspekt, merita e bizneseve durrsake është e padiskutueshme.
“Bizneset e Durrësit kanë një ndryshim rrënjësor. E them këtë jo se jemi në Durrës, por të jem i sinqertë Durrësi shërben më mirë sesa çdo qytet turistik i këtij vendi.”,– thotë Golja.
Qyteti 3000-vjeçar nuk vizitohet më vetëm për vijën bregdetare, por interesimi i turistëve është mjaft i madh për turizmin kulturor. Dhe pikërisht këtu e vë theksin edhe kreu i Dhomës së Tregtisë Durrës i cili kërkon një shfrytëzim më të mirë të të gjithë potencialit të trashëgimisë kulturore të qytetit.
Për vitin 2026, prioriteti i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës do të jetë forcimi i partneritetit me bizneset dhe autoritetet vendore për të ndërtuar një model zhvillimi që e bën Durrësin një destinacion turistik gjithëvjetor.
M.B.





