Sulmuesi i Teutës, Idelino Gomes, shënoi golin e parë me fanellën e skuadrës durrsake në kampionat, por kjo nuk mjaftoi që “djemtë e detit” të dilnin me tri pikë ndaj Luftëtarit.

Shtatlarti nga Guinea-Bisau ndien keqardhje që Teuta nuk mori pikët e plota. “Ishte një ndeshje që nuk duhet të linim pikë. Humbëm një mundësi të mirë për të marrë vendin e tretë.

Duhet ta kishim mbyllur ndeshjen sa më parë, pasi jo çdo gjë i lihet në dorë rastësisë. Jam shumë i zhgënjyer që shkoi loja në këtë mënyrë. Natyrisht më vjen mirë që shënova, por kur nuk fiton, të duket sikur nuk ke bërë asgjë. Shpresoj të dalim shpejt te fitorja”, deklaroi Gomes.