Një gomone e mbushur me gjysmë ton kanabis e nisur nga Shqipëria drejt Italisë, është kapur nga policia italiane në zonën e San Marinos.

Gjatë operacionit të koduar “Themis2018”, ku ka bashkëpunuar edhe policia shqiptare, u arrestuan edhe dy trafikantët shqiptarë që ndodheshin në bordin e gomones. Ata janë identifikuar vetëm me inicialet S.K. 45 vjeç dhe S.F. 34 vjeç.

Mjeti lundrues 7 metra i gjatë dhe me motor të fuqishëm 200 kuaj, u ndalua mbrëmjen e së shtunës, ndërsa lajmi është bërë i ditur mëngjesin e sotëm nga mediet italiane.

Trafikantët tentuan të arratiseshin dhe ndjekja u zhvillua për disa orë në det në kushte të këqija atmosferike.

Sipas hetuesve italianë, vlera e 500 kg kanabis përllogaritet në rreth 5 milionë Euro nëse do të shitej me pakicë.