Policia e Shtetit ka dhënë detaje rreth operacionit të zhvilluar me homologët italianë e malazezë për ndalimin e trafikimit të rreth 500 kg marijuanë, që u hodh në det nga trafikantët, ku këta të fundit arritën t’i shpëtonin ndjekjes së policive.

Në një deklaratë për mediet, Drejtori i Përgjithshëm Për Kufirin dhe Migracionin Drejtues i Lartë Genc Merepeza së bashku me Komandantin e Nuklit Detar Tenente Colonnello Luca De Paolis,me qendër në Durrës, thanë që policia shqiptare kishte dijeni që në ujërat ndërkombëtare do të bëhej shkëmbimi i drogës nëpërmjet një mjeti peshkimi të dyshuar si italian. Këtë informacion, e kishin siguruar që më 1 shkurt.

“Gjatë gjithë natës së 1 shkurtit dhe në mëngjesin e datës 2, u shkëmbye vazhdimisht informacion me Guardia di Finanza-n dhe Misionin Interforza për mundësinë e nisjes së mjeteve të dyshuara.

Në datën 2 shkurt 2016 rreth orës 14:15, Policia shqiptare u njoftua nga Guardia di Finanza se nga një mjet ajror identifikoi një gomone rreth 50-60 milje larg Barit, në veri të Barit, e cila ecte me shpejtësi nga Jugu në Veri.

Drejtoritë rajonale të Kufirit në Vlorë, Durrës, Stacioni i PKM-së Shëngjin, roja Bregdetare dhe forcat Delta nxorën menjëherë në det 8 mjete lundruese për patrullim.

Policia shqiptare vijoi kontrollin e hapësirës ujore duke koordinuar operacionin me Policinë kufitare malazeze, e cila angazhoi 2 mjete detare.

Gjithashtu u shkëmbye informacion me Guardia di Finanza-n, e cila angazhoi dy mjete lundruese për lundrime ne thellësi te hapësirës ujore 1 në Vlorë dhe 1 në Durrës.

Mjeti i dyshuar tip gomone që po lëvizte me shpejtësi në drejtim të vendit tonë u ndoq nga mjetet e Guardia di Finanza-s nga deti dhe nga ajri. Gjatë ndjekjes, shërbimet shqiptare me anë të radarit konstatuan se gomonia mori kursin në drejtim të ujërave ndërkombëtare përballë ujerave territoriale të Malit të Zi.

Për t’u lehtësuar nga pesha dhe ecur më shpejt, trafikantët hodhën në det drogën, rreth 500 kg, e cila u sekuestrua nga autoritetet italiane në ujërat ndërkombëtare.

Duke kryer manovra të rrezikshme, gomonia u zhduk në hapësirën detare rreth 8 milje jashtë ujërave territoriale të Malit të Zi.”