Nga data 2 dhjetor, kur nisi shpërndarja e bonusit të fundvitit, 118,696 pensionistë e kanë tërhequr atë në zyrat e Postës Shqiptare dhe bankat e nivelit të dytë.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja bëri të ditur se pensionistët mund ta tërheqin atë në çdo moment deri më 30 qershor.

Pensionistët kanë vlerësuar nismën e qeverisë për mbështetjen e tyre në prag të festave të fundvitit. Ata shprehen se bonusi është një ndihmë për ta.

Bonusin e fundvitit e përfitojnë 724933 pensionistët, ndër të cilët 511173 pensionistë me pension deri në 20 mijë lekë përfitojnë 15 mijë lekë dhe 213760 pensionistë me pension mbi 20 mijë lekë përfitojnë 10 mijë lekë.

Në këtë skemë janë përfshirë 65763 pensionistë invalidë, 44561 pensione familjare dhe 2900 pensione të parakohshme të ushtarakëve.

Për këto kategori bonusi është 15 mijë lekë.

Kjo paketë përfshin edhe 91000 pensione fshati, me rritje domethënëse që arrin deri në 66.3% efektin e bonusit vjetor për kategorinë familjare në fshat.

Me një fond prej 100 milionë euro, ky bonus ka një ndikim të ndjeshëm, duke rritur mesatarisht 9% pensionin prej 15 mijë lekësh, 13% pensionin social dhe 35% pensionin familjar.

Përpos këtij të fundvitit, kryeministri Edi Rama ka njoftuar se qeveria do mundësojë bonusin e pranverës, që do të jetë i vlefshëm në çdo vit vijues për pensionistët.