Google dhe Meta i kanë kërkuar qeverisë australiane të shtyjë projekt-ligjin që do të ndalojë shumicën e mediave sociale për fëmijët nën 16 vjeç.
Sipas tyre qeveria duhet të presë për rezultatet e një prove të verifikimit të moshës përpara se ta miratojë.
“Në mungesë të rezultateve të tilla, as industria dhe as australianët nuk do ta kuptojnë natyrën ose shkallën e sigurimit të moshës që kërkohet nga projektligji, as ndikimin e masave të tilla tek australianët. Projektligji është joefektiv”, tha Meta.
Gjithashtu edhe platforma TikTok tha se projektligji është i paqartë dhe mungojnë konsultimet me eskpertë, organizata të shëndetit mendor etj.
Qeveria e kryeministrit Anthony Albanese do të miratojë projektligjin, i cili përfaqëson disa nga kontrollet më të ashpra mbi përdorimin e mediave sociale të fëmijëve të vendosura nga çdo vend.
Ndalimi nuk merr parasysh mbikqyrjen prindërore. Llogaritë e atyre fëmijëve që janë regjistruar para se ky ligj të hyjë në fuqi do të bllokohen deri kur ata të mbushin moshën. Regjistrimi në të gjitha rrjetet sociale në Australi pritet të kryhet edhe përmes verifikimit biometrik.