21 qershor 2014 – Kanali gjigant i shkarkimit dhe shikimit të videove, Youtube do të jetë me pagesë duke filluar nga viti i ardhshëm me të gjitha videoklipet muzikore. Vendimi i Google që Youtube ta bëjë me pagesë, për shërbimin e muzikës, vjen pavarësisht kritikave të shumta se do ta dëmtojë këtë treg.

Kompania Google njoftoi se Youtube ka vendosur partneritet me qindra produksione të mëdha dhe të pavarura për të hedhur në treg shërbimin e ri. Kështu kompania ka konfirmuar zërat e kohëve të fundit se rrjeti më i madh në botë i videove muzikore do të bëhet me pagesë.

Disa grupe të tregtimit të muzikës ‘online’ kanë kritikuar planet e ‘Youtube’, se do të bllokojë shfaqjen pa pagesë të videoklipeve muzikore, deri në momentin që markat nënshkruajnë marrëveshjen e re me ‘Youtube’.

Përfaqësuesit e rrjeteve të ndryshme që bashkëpunojnë me ‘Youtube’ shprehen se kushtet që ofrohen janë shumë të pafavorshme, ndërsa marrëveshja nuk është e negociueshme.

Youtube ka nënshkruar marrëveshje për shërbimin me pagesë me rreth 95% të etiketave muzikore, ndërsa bllokimi i disa profileve të tjera do të jetë i domosdoshëm. Nuk ka ende një lajm zyrtar, por edhe në Shqipëri disa prej këngëve më të njohura të këngëtarëve nga Shqipëria dhe Kosova, janë fshirë nga ‘Youtube’.

Në lidhje me fshirjen e videove nga faqet e produksioneve të ndryshme Youtube sqaron: “Bllokimi i disa videove do të jetë i domosdoshëm, në mënyrë që të sigurojmë një përvojë të qëndrueshme për shërbimin me pagesë”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/