Listës së artistëve shqiptarë që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e këngëtarit serb, Goran Bregovic për të kënduar këtë vit në Festën e Birrës në Korçë, së fundmi i është bashkuar edhe këngëtari Capital T.
Rreperi nëpërmjet një njoftimi për fansat e tij, ka treguar se ishte i ftuar për të bërë hapjen e eventit, por me lajmin e ardhjes së Goran Bregovic-it aty, është detyruar që të anulojë performancën e tij.
“E ndjeva të rrugës që të reagoja për eventin e festës së birrës në Korçë për faktin se unë isha i ftuar për të bërë hapjen e atij evenimenti dhe realisht isha shumë i lumtur që të jem aty, afër njerëzve që e duan muzikën time edhe e duan prezencën time aty, por kur pashë se një artist serb siç është Goran Bregovic, prej të cilit janë inspiruar forcat serbe dhe kanë kënduar këngët e tij gjatë luftës në Kosovë, atëherë u detyrova që të anuloja performancën time. Iu kërkoj falje të gjithëve!
I bëj thirrje bashkisë së Korçës, absolutisht që të anulojë prezencën e tij në Shqipëri për faktin se konflikti Kosovë-Serbi është ende i hapur edhe nuk i takon asaj si institucion shtetëror që të sjellë një artist serb këtu në Shqipëri”, është shprehur Capital T.