Ish-kryebashkiaku dhe drejtori i Postave në TV-në e vet: Pse nuk kishte të krishterë?
DURRËS, 4 gusht 2013 – Për pronarin e televizionit Adria Net, veteran i PD-së, ish-kyebashkiak dhe drejtor i përgjithshëm i Postës Shqiptare, Mjeshtri i Madh i Punës, Arqile Gorea, përfaqësimi i qytetarisë durrsake në listat për deputet në zgjedhjet 23 qershorit “ishte në pjesën fundore. Nuk kishte asnjë përfaqësues të krishterë në listat e qytetarisë durrsake. Nuk ka banorë të krishterë Durrësi, katolik ose ortodoks? Ka. Atëherë pse nuk kishte?” Përgjigjet po vet: “Ishte çështje pakujdesie, preferencash”. Për ortodoksin Gorea “përfaqësimi i interesave të komunitetit duhet bërë në të gjithë spektrin e tij, si në spektrin krahinor, si në spektrin intelektual, si në spektrin fetar”. Para shpalljes së listave për deputet, përflitej se z. Arqile Gorea do të ishte në listën e Durrësit. Por nuk ndodhi kështu. Megjithatë, me elegancë, edhe pa shpallur hapur pakënaqësinë, Gorea shprehet:
“listat nuk ishin më të mirat po ishin të pranueshme. I qëndroj këtij vlerësimi. Nuk duam të them atë që thuhet shpesh: trima pas lufte dhe të urtë pas kuvendi gjen me shumicë. Qyteti i Durrësit është qytet me personalitet. Është qytet me resurse dhe që ka shërbyer jo vetëm në brendësinë e tij, por në të gjithë Shqipërinë. Mund të them edhe më gjerë. A u aktivizuan kualitetet e këtij qyteti? Unë them se ka pasur diferenca. Duke filluar që nga ana krahinore dhe deri tek ana fetare. Besoj se nuk është respektuar dhe ky është fakt. Po të them nga ana krahinore shumë pak ishte i përfaqësuar qyteti i Durrësit. Thjesht në pjesën fundore. Nuk dua t’u hyj analizave që ky ishte durrsak, ishte prej kësaj e asaj zone ose ka kaq vjet që banon në Durrës”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





