Teuta ka mposhtur Bylisin me rezultatin 1-0 në “Niko Dovana” për ndeshjen e vlefshme për javën e 20-të të Kategorisë Superiore. Me këtë fitore, Teuta ngjitet në vendin e 7-të. Një nga afrimet e janarit, Jurgen Goxha, i dha fitoren Teutës me golin e shënuar në minutën 77- të të sfidës ndaj ballshiotëve. Ai shprehet se fati ishte me ekipin dhe se është kënaqur që ka ardhur te durrsakët, pasi tek Egnatia nuk e donin më.
Jeni shprehur se dikush nuk donte të ishit pjesë e Egnatias. Keni një shpjegim në lidhje me këtë deklaratë?
Dëgjoni, unë jam i drejtpërdrejtë, por tashmë nuk ka asnjë lloj vlere të përmend emra. Jurgen Goxha e tregoi edhe në ndeshje kush është, ndërsa dikush tjetër më ndjek nga televizioni. Kjo është mënyra më e mirë për t’u shprehur. Unë e mbyll këtu, nuk dua t’i jap më rendësi kësaj gjëje.
Pra, ju jeni të mllefosur me mënyrën si e kanë menaxhuar këtë situatë?
Po, ky është problemi, unë jam një njeri shumë i përgatitur profesionalisht dhe korrekt. Kalova disa muaj të vështirë, pasi pësova një dëmtim dhe kur u riktheva që mora veten, nuk gjeta atë ngrohtësi që prisja nga dikush aty. Në fund “karma” u rikthye tek i drejti.
Kush kanë qenë arsyet që u kthyet kaq vonë në ekipin e qytetit të lindjes?
Unë kam lindur në Durrës dhe ka qenë dëshira e të dyja palëve, por nuk ka qenë rasti. Unë them më mirë vonë se kurrë dhe tashmë jam i lumtur që kam veshur fanellën e qytetit tim dhe dua të jap shumë nga vetja.
Ju keni luajtur dhe në Azerbajxhan, çfarë nuk shkoi atje?
Jo se nuk shkoi mirë, por në momentin tim më të mirë u dëmtova dhe me pas mbylla marrëveshjen me ekipin ku luaja. Kjo ka qenë arsyeja që nuk vijova karrierën atje.
Teuta arriti një fitore ndaj Kastriotit. Sa e rëndësishme ishte?
Kjo ndeshje ishte e vështirë, sepse vinim pas një momenti jo shumë të mirë dhe humbjes në Laç. Ishte një ndeshje e rëndësishme për ne dhe do të provonim gjithçka. Jemi të lumtur për tri pikët. Për fat të mirë, i bëmë gjërat saktë. Shpresojmë të vijojmë me fitore.
Si e shihni ndeshjen e radhës ndaj Erzenit?
Erzeni është një skuadër, që ka treguar se është kockë e fortë për të gjithë ekipet. Është skuadër agresive, mendoj që ne do t’i marrim masat dhe shpresoj të bëhet lojë e bukur dhe në fund të fitojë Teuta.
Me ekipin që keni, deri ku mund të shkojë kjo Teutë?
Teuta i ka të gjitha mundësitë të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit, por unë dhe të gjithë shokët e skuadrës shohim ndeshjen e radhës në këto momente që jemi.