KRUJE, 25 shkurt 2013 – Është prangosur sot anëtari i tretë i bandës që ishte kthyer në ‘tmerrin’ e pronarëve të automjeteve të kushtueshme në zonën e plazhit, në Durrës. Efektivët e komisariatit të Krujës kanë ndaluar 33 vjeçarin Afrim Xhixha, banues në komunën Nikël në Krujë, i cili së bashku me dy të rinj të tjera nga Kruja kanë vjedhur në harkun kohor të 5 muajve 10 automjete të kushtueshme, të gjitha në zonën turistike të Durrësit.

Në datë 13 janar të këtij viti policia prangosi Eduart Xakën, 24 vjeç, dhe Naim Muratin, 44 vjeç, dhe shpalli në kërkim Xhixhën, pasi grupi në fjalë grabiste automjetet duke përdorur teknikën e vjedhjes së autoveturave të ndezura, gjatë kohës kur drejtuesit e mjeteve shkëputeshin për pak minuta nga mjeti me qëllim kryerjen e shërbimeve. “Grupi në fjalë synonte kryesisht vjedhjen e automjeteve të kushtueshme nisur nga marka apo kapaciteti”,- thuhet në njoftimin e policisë.

Xhixha u shpall në kërkim nga komisariati i policisë Durrës në datë 14 janar dhe vetëm pas më shumë se një muaji u bë i mundur arrestimi i tij. Policia bën të ditur se 33 vjeçari ka qenë i dënuar më parë për veprat penale të shkatërrimit të pronës me eksploziv dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake.

Në momentin e ndalimit Afrim Xhixhës iu gjet në trup një armë zjarri pistoletë model 56 së bashku me krëhërin me fishekë, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Policia bën të ditur se kapja e tij u bë e mundur gjatë një ndërhyrje, në kohën kur ndodhej në një servis automjetesh në fshatin Nikël të Krujës.

Pas dokumentimit të të gjitha provave dhe në bazë të veprimeve hetimore rezultoi se personat në fjalë, në bashkëpunim me njëri-tjerin, kanë grabitur në lagjen Nr.13 Plazh këto automjete:

1- Me datë 11.01.2013 dyshohet të kenë vjedhur automjetin  tip Benz furgon me targa KV054A, pronë e shtetasit B.B..
2- Me datë 10.01.2013, në Sektorin Apollonia kanë vjedhur automjetin BMW- X3 me targa AA100BT, pronë e shtetasit L.I., banues në lagjen Nr. 17 Durrës.
3- Me datë 07.01.2013 kane vjedhur automjetin tip furgon me targa DR2645D pronë e shtetasit I.B., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
4- Me datë 23.12.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës kanë vjedhur automjetin tip Volkswagen me targa DR484A, pronë e shtetasit K.B., banues në lagjen Nr 13 Durrës.
5- Me datë 09.09.2012 kanë vjedhur automjetin BMW me targa DR6800E, pronë e shtetasit E.Th., banues në lagjen Nr. 13 Durrës.
6- Me datë 06.09.2012, në lagjen Nr. 13 Durrës, kane vjedhur automjetin Benz Mercedes me targa të Kosovës 629 – KS – 629, pronë e shtetasit R.M.
7- Me datë 03.09.2012, kanë vjedhur automjetin Benz 320 me targa DR0440F, pronë e shtetasit F.T., banues në lagjen Nr 3 Durrës.
8- Me datë 01.09.2012, kane vjedhur automjetin tip Audi A6 me targa italiane, pronë e shtetasit I.Gj., banues në lagjen Nr. 14 Durrës.
9- Me datë 23.08.2012, kane vjedhur automjetin Benz me targa italiane CL202CC, pronë e shtetasit S.H., banues në lagjen Nr 13 Durrës.

/m.b. Agjencia e Lajmeve "Dyrrah"/