Maqedoni, 4 gusht 2014  – Gjendet i vrarë shqiptari që grabiti argjendarinë e floririt në qendër të Dibrës. Miljan Elezi, i njohur me nofkën “Mendi”, u gjet i pajetë në një mjet të braktisur nga personat e tjerë në afërsi të kufirit shqiptar, në Miresh.

Mediat e vendit fqinj thanë se trupi i 35-vjeçarit nga qyteti i Elbasanit u gjet i shtrirë në sediljen e pasme të makinës tip “Range Rover” me targa angleze. Policia maqedonase njoftoi se personi i gjetur në “Livadhet e Mireshit” ishte njëri nga pjesëtarët e bandës së grabitësve të argjendarisë “Erebara” në Dibër të Madhe, ngjarje kjo e ndodhur më 29 korrik 2014. 

Ndërkohë, burime të Policisë maqedonase bënë të ditur se janë duke shkëmbyer informacione me Policinë e Shtetit shqiptar pasi janë hedhur dyshime të forta se personat që sulmuan dhe grabitën argjendarinë në qendër të Dibrës së Madhe mund të jenë “babagjyshat” e grabitjes së TEG-ut në fundvitin 2013 në kryeqytet.

Grabitësit, pasi realizuan rrëmbimin e 18 kg flori në Dibër, arritën të marrin të plagosurin Elezi dhe të largohen në drejtim të Shqipërisë. Por bllokimi i kufirit nga policia dhe ushtria e Shqipërisë dhe e Maqedonisë bëri që grabitësit të braktisin mjetin dhe shokun e tyre, tashmë të vdekur.

“Dy dyert e prapme të makinës ‘Range Rover’ kanë qenë të hapura, xhami i prapmë ka qenë i thyer, ndërsa në sediljen e prapme, në pozitë të shtrirë është gjetur një trup mashkulli i pajetë. Ndërkohë po kryhen hetimet në prani të prokurorit të Prokurorisë Themelore dhe të Gjykatës Themelore në Dibër së bashku me ekipin mjekoligjor nga Ministria e Punëve të Brendshme të Maqedonisë”,shkruajnë mediat maqedonase. 

Mësohet se trupi i pajetë i grabitësit është gjetur tri ditë më parë, por lajmi nuk është publikuar nga autoritetet e vendit fqinj, në pritje të interesimit të qytetarëve nga Maqedonia dhe Shqipëria për personin që mbahej në morgun e Spitalit të Dibrës së Madhe.

Menjëherë pas identifikimit të Miljan Elezit, policia maqedonase dhe ajo shqiptare po grumbullojnë informacione dhe po hetojnë në lidhje me identitetin e personave të tjerë që morën pjesë në grabitjen e armatosur në qendër të Dibrës së Madhe dhe pasi iu afruan kufirit shqiptaro maqedonas u larguan në këmbë duke braktisur mjetin dhe të vdekurin. 

/gazeta “Panorama”/