Itali, 17 qershor 2014 – Në 2 maj 2014, Alban Voka, 24 vjeç (ne foto, i pari nga e majta) së bashku me një shtetas italian dhe një vajzë të re nga Italia grabitën me armë një argjendari në qytezën e Langiranos (Langhirano), në provincën e Parmës. Pasi kryen grabitjen, ata u larguan me një makinë tip Citroen. Grabitësit hynë në argjendari pa maska, kështu që për karabinierët nuk ishte aspak e vështirë të zbulonte identitetet e tyre. Femra italiane u arrestua në Siçili, ndërsa Albani u arrestua në qytetin e Parmës.

Karabinierët arritën të kapin thuajse gjysmën e bizhuterive të florinjta dhe orëve të vjedhura në argjendari. Ata arritën të individualizojnë edhe tre dyqane blerësish objektesh prej ari të përdorur në Parma dhe Sicili, ku tre grabitësit kishin shitur në sasi të vogla një pjesë të floririt të grabitur. Dyshohet se kjo bandë mund të jetë autore edhe e grabitjeve të tjera me armë.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/