Nën kërcënimin e armës grabisin dy shtetas. Rikthehen sërish grabitjet e dhunshme në zonën turistike. Dy të rinj kanë rënë pre e dy grabistëve në lagjen nr.13, në sektorin Iliria në orët e para të mëngjesit të pak ditëve më parë. Burime policore bëjnë të ditur se Arbër Doda, një 27 vjeçar nga Durrësi, në bashkëpunim me një person tjetër ende të paidentifikuar ka kanosur më armë në çift rreth orës 03.00.
Të rinjtë Donald Mançe dhe Kamila Shtylla kanë qenë duke u kthyer në shtëpi, kur janë ndaluar nga dy grabitës. Nën kërcënimin e armës, tip pistoletë 27 vjeçari Doda ka arritur t’u grabisë atyre një aparat celular, një sasi lekësh si dhe një unazë floriri. Sapo kanë grabitur dy të rinjtë, Doda së bashku me bashkëpunëtorin e tij janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.
Të frikësuar nga ajo çfarë u ndodhi Mançe dhe Shtylla e kanë mbajtur vrapin për në komisariatin e policisë për të denoncuar grabitjen e pësuar. Pas denoncimit të tyre policia ka arritur në përfundimin se një nga grabitësit ka qenë shtetasi Arbër Doda, për të cilin ka nisur procedimi penal në mungesë.
Ai akuzohet pë veprën penale “Vjedhje me armë”, krim ky i parashikuar në nenin 140 dhe 25 të Kodit Penal. Njëkohësisht blutë e Durrësit po punojnë për identifikimin e autorit tjetër të grabitjes dhe ndalimin e këtyre shtetasve.