16 nëntor 2015 – Policia e Sarandës ka bërë të mundur identifikimin dhe arrestimin e personave, të cilët dyshohet se kanë kryer grabitjen me dhunë në kazinonë e quajtur “Astra”, në qytetin e Sarandës. Ndërkohë është shpallur në kërkim 1 tjetër person për veprën penale “Vjedhje me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.
Fatjon Xhelili, 26 vjeç, dhe Ergis Iljazi, 19 vjeç, u arrestuan nga uniformat blu, ndërsa në kërkim është shpallur shtetasi N.R., 30 vjeç. Të tre këta persona janë banues në Sarandë.
Më datë 02.11.2015, rreth orës 01:30, dyshohet se këta shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, janë futur të maskuar në një kazino, e cila ndodhet në lagjen nr. 1, rruga “Skënderbeu”. Tre të rinjtë nën kërcënimin e armëve të zjarrit, kanë bërë të mundur vjedhjen e xhiros ditore të kësaj kazinoje, një shumë totale prej 7 milionë lekësh.
Më poshtë, pamje nga momentet e grabitjes në kazino:
/S.L. portali DurresLajm/