Policia e Komisariatit Nr. 7 ka finalizuar operacionin e koduar “Road”, duke arrestuar dy persona të dyshuar për një grabitje me dhunë në zonën e Marikajt, Vorë.
Të arrestuarit janë F. S., 26 vjeç dhe G. Sh., 30 vjeç, të cilët dyshohet se i kanë marrë një shtetasi 5300 euro dhe 3 celularë. Ata u kapën të fshehur në një banesë të braktisur.
Gjatë kontrollit në banesën e njërit prej tyre, u sekuestruan dy karikatorë arme zjarri, një palë pranga, një thikë dhe 3 celularët e vjedhur.
Në lidhje me ngjarjen, është proceduar në gjendje të lirë edhe shtetasja E. P., 24 vjeçe, për moskallëzim krimi.
Njoftimi i policisë:
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 7, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetasi i kishin vjedhur me dhunë, një shumë parash, organizuan punën për zbardhjen e vjedhjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Si rezultat i veprimeve të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Road”, u lokalizuan në një banesë të braktisur, u kapën dhe u vunë në pranga 2 autorët e dyshuar të rastit, shtetasit F. S., 26 vjeç, dhe G. Sh., 30 vjeç, banues në Vorë.
Gjithashtu, për këtë rast u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen E. P., 24 vjeçe, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”. Nga hetimet dyshohet se shtetasit F. S. dhe G. Sh., në rrugën e fshatit Marikaj, në mbrëmje, i kanë marrë me dhunë, një shtetasi, 5300 euro dhe 3 celularë.
Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit F. S., në Vorë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 karikatorë arme zjarri automatik model 56, një palë pranga, një mjet prerës (thikë) dhe 3 celularët e vjedhur.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.





