Durrës, 6 mars 2014 – Në harkun kohor të 24 orëve të fundit janë dokumentuar nga policia e qarkut të Durrësit tre vjedhje. Grabitësit nuk kanë kursyer as një shkollë të mesme në komunën e Katundit të ri, nga e cila kanë marrë një projektor, dy kompjuter dhe një laptop. Shënjestra e hajdutëve ka qenë shkolla “Josuf Hoti”, në të cilën kanë hyrë gjatë natës, pasi më parë kanë thyer xhamat për të depërtuar në ambientet e brendshme. Policia ende nuk ka rënë në gjurmë të autorëve që realizuan grabitjen.

Ndërkohë dy raste të tjera vjedhjeje janë konstatuar në Fushë Krujë. Një ditë më parë, persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e shtetasit L.Sh. nga ku kanë grabitur bizhuteri floriri dhe një aparat fotografik të markës Samsung. Sipas policisë, vlera e dëmit të shkaktuar personit që ju grabit banesa arrin në 65 mijë lekë.

E ndërsa policia kryente veprimet hetimore për dokumentimin e grabitjes së shtëpisë, pak orë më vonë një tjetër vjedhje është raportuar në Fushë Krujë. Një 17 vjeçar ka denoncuar pranë forcave të rendit se ndërsa kthehej në shtëpi, një person i paidentifikuar i ka grabitur 2 celularët që mbante me vete. Grabitësi ka përfituar nga rrugica e pa ndriçuar për t’u larguar me shpejtësi në drejtim të paditur.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/