8korrik 2015 – Policia e Durrësit në kohë rekord arreston një prej autorëve të grabitjes së ndodhur sot në mesditë në bankën “Credins”. Alban Duka është 31-vjeçari nga Tirana, i cili në bashkëpunim me një tjetër në kërkim hyri me maskë në kokë në bankë, duke grabitur një shumë prej gati 35 mijë eurosh.
Duka, bashkë me shokun e tij, u maskuan me paruke, duke u futur në bankën që ndodhet pranë Bashkisë së Durrësit. Njëri prej tyre neutralizoi rojen, ndërsa tjetri me armë kërcënoi punonjësit e bankës që t’u jepte paratë. Me shpejtësi grabitësi ka futur në çantë shumën e parave, në lekë, euro e dollarë dhe pasi hipi në motoçikletën e parkuar pranë, u nis në arrati me bashkëpunëtorin. Por, arratia ka zgjatur vetëm pak, pasi policia kapi në afërsi të Shkozetit Alban Dukën, bashkë me çantën e parave. Emri i bashkëpunëtorit nuk bëhet i ditur, për shkak se është në kërkim, ndonëse dyshohet se është nga Durrësi dhe prej ditësh ka studiuar mënyrën e grabitjes së bankës.
Policia bllokoi edhe një makinë “Jaguar”, e cila po verifikohet nëse është e vjedhur prej autorëve.
Paratë që u grabitën nga banka:
•8.765 dollarë
• 7.015 euro
•17.741.320 lekë (të vjetra).
U bllokuan:
• një armë zjarri tip automatik kallashnikov,
• një armë zjarri tip pistoletë,
• 29 fishekë,
• 1 motorçikletë,
• 1 makinë tip Jaguar me 2 targa të vendosura:AA 931 IN dhe TR 4955 M
• 1 paruke,
• 2 T-shirt dhe
• 1 çantë që shërbente për vendosjen e parave, së bashku me shumën e parave të grabitura brenda në çantë.
Agjencia e lajmeve “Dyrrah”