Një tjetër futbollist i njohur bie pre e grabitjes në Angli.

Mesfushori i Manchester United, Paul Pogba, ka njoftuar se shtëpia e tij është vjedhur gjatë ndeshjes së Championsit kundër Atleticos së Madridit, që përfundoi me eliminimin e “Djajve të Kuq”.

Pogba tha se familja e tij kishte kaluar një situatë makthi, kur në shtëpi kishin hyrë grabitësit, ndërsa fëmijët e tij flinin në dhomën e tyre të gjumit.

Mesfushori francez ka ofruar shpërblim për “këdo që ka një ide për të na ndihmuar”.

“Unë dhe gruaja ime nxituam në shtëpi duke mos ditur nëse fëmijët tanë ishin të sigurt dhe të padëmtuar”, – theksoi Pogba. – “Si baba, nuk ka ndjenjë më të keqe në këtë botë sesa të mos jesh në gjendje të mbrosh fëmijët e tu dhe sinqerisht shpresoj që askush të mos ndjejë kurrë atë që ndjeva mbrëmë.”

Mbrojtësi i Manchester City-t, Joao Cancelo u plagos gjatë përleshjes me një bandë grabitësish për Krishtlindje, ndërsa gruaja e mbrojtësit të Manchester United, Victor Lindelof, në janar zbuloi se familja e saj ishte sulmuar nga grabitësit gjatë kohës që qendërmbrojtësi luante kundër Brentfordit.