29 shtator 2013- Katër persona, ende të paidentifikuar, kanë arritur të grabisin rreth 10 ton qymyr koks nga treni i mallrave Shkodër-Tiranë. Burime nga policia bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur pasditen e sotme, kur katër personat i kanë dalë përpara trenit, duke bërë që makinisti të ulte shpejtësinë. Më pas ata kanë arritur të shkarkojnë nga treni 10 ton qymyr. Nuk dihet ende se me çfarë e kanë transportuar qymyrin, ndërkohë që policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për të zbuluar autorët e grabitjes. Paraprakisht policia dyshon se në grabitje mund të jenë të përfshirë edhe makinistët e trenit.