Filiali i një banke të nivelit të dytë është grabitur pas mesnatës në Librazhd.
Dy orë pas grabitjes së bankës, policia ka arritur të identifikojë dhe të kapë autorin. Në pranga ka rënë shtetasi Nuredin Sula, 32 vjeç, ndërsa janë gjetur dhe lekët e dosjet e vjedhura që i kishte marrë mbi banak.
Personi i arrestuar rezulton përdorues droge dhe person me precedentë penalë nga qyteti i Librazhdit. Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë në të njëjtin filial banke është bërë një tentativë vjedhjeje me të njëjtin mekanizëm, pas të cilës dyshohet se është po i njëjti autor.
Njoftimi i policisë:
Më datë 29.03.2018 rreth orës 01:20 në sallën operative të Komisariatit të Policisë Librazhd ka rënë alarmi i një banke. Shërbimet e policisë kanë shkuar menjëherë dhe pas një pune intensive dhe të mirëorganizuar kanë bërë identifikimin dhe arrestimin në kohë rekord të autorit të dyshuar Nuredin Sula, 32 vjeç banues në Librazhd, i cili kishte marrë disa lekë të holla që kishin qenë mbi banak dhe dosje.
Në vijim të hetimeve ka rezultuar se shtetasi i lartpërmendur dyshohet të jetë autor edhe i ngjarjes së ndodhur më datë 09.03.2018 ku ka thyer me sende të forta (gurë) xhamin e derës kryesore të po këtij filiali banke në Librazhd. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë për veprime të mëtejshme.





