Një ngjarje e rëndë ka ndodhur dy ditë më parë në fshatin e Gjerbës të Mallakastrës. Trupi i pajetë i Drita Saliut është gjetur nga banorë të zonës në rezervuarin e fshatit, ku edhe dyshohet se është vrarë.
Mësohet se tre të rinj kanë shkuar për të grabitur shtëpinë e gruas duke menduar se në banesë nuk kishte asnjë person.
Por pasi kanë hyrë kanë pikasur të zonjën e shtëpisë. Në mënyrë që ajo mos t’i kallëzonte në Polici për shkeljen, tre grabitësit e kanë marrë gruan, e kanë lidhur dhe më pas trupin ia kanë hedhur në rezervuarin e fshatit.
Familjarët e saj pasi janë rikthyer në shtëpi nuk kanë vënë re asnjë gjurmë nga ajo dhe menjëherë kanë nisur kërkimet. Ditën e sotme ata kanë vendosur që të kontrollojnë gjithashtu edhe pranë rezervuarit ku edhe kanë pikasur trupin e saj të pajetë.
Deri më tani, Policia e zonës ka shoqëruar në polici tre persona, të cilët po merren në pyetje pasi dyshohet se kanë lidhje me ngjarjen, ndërkohë po vijon puna për kapjen e autorëve të krimit mostruoz.





