Dispanceria e Durrësit ka ndaluar së dhëni shërbim ditën e sotme, pasi mjekët lajmëruan policinë pa nisur akoma javën e re të punës. Dritarja e godinës ishte thyer dhe stafi bëri me dije se persona ende të paidentifikuar kanë hyrë në godinë për të vjedhur.

Policia mbërriti në vendin e ngjarjes ku u konstatua se ishte thyer xhami i një prej dritareve, por paraprakisht nuk është bërë e ditur çfarë është marrë nga Dispanceria.

Dyshohet që persona të droguar kanë thyer xhamin e kanë hyrë brenda godinës, ku mund të kenë kaluar natën. Pacientët që ju drejtuan Dispancerisë për analiza këtë fillim jave, nuk mundën të merrnin shërbimin e nevojshëm.

Dispanceria e Durrësit është në gjendje të keqe dhe në prag tjetërsimi, dhe qyteti bregdetar mund të mbetet pa këtë institucion të rëndësishëm shëndetësor, në një kohë kur kurba e sëmundjeve infektive po pëson rritje. Vetëm vitin e kaluar në këtë klinikë janë konstatuar dhe kuruar 35 raste të reja me turbekuloz.

Në vendin tonë, çdo rreth ka klinikat e veta të plotësuara me personel të specializuar për sëmundjen e TBC-së. Në Tiranë janë 9 mjekë në shërbim, duke përfshirë laborantë, personel të mesëm si dhe aparatura shumë të mira Radioskopie.

Ndërsa në Durrës është një ndërtesë 64-vjeçare e cila dikur ka qenë me shtretër. Tashmë ka vetëm 4 punonjës. Ajo është në gjëndje të mjerueshme pasi nuk është riparuar prej disa vitesh, kjo sepse i ka dalë pronari dhe është në proces gjyqësor aktualisht në Apelin e Durrësit.        

K.H.