*Maskat grabisin 20 mijë euro. Policia e mban të fshehtë ngjarjen!

Një kambist ka rënë pre e grabitësve në Durrës, teksa po dilte nga hyrja e pallatit.

Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e sotëm rreth orës 07:50 te lagja nr. 9 prapa Poliklinikës, por ky rast është i mbajtur i fshehtë nga policia e Durrësit.

Mësohet se kanë qenë tre persona të armatosur dhe të maskuar, të cilët i kanë grabitur kambistit Gavrosh Koçilja, një shumë prej rreth 20 mijë eurosh.

Njëri prej autorëve ka qenë duke pritur në një makinë tip "Opel", ndërkohë që dy të tjerët sapo kanë parë kambistin të dalë nga hyrja e pallatit të tij, e kanë goditur me qytën e pistoletës në kokë dhe më pas i kanë lidhur duart me kabullin e një karikusi celulari. Menjëherë, ata kanë marrë paratë dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.

Sipas dëshmisë që ka dhënë vetë i dëmtuari në polici, ai ka pasur me vete shumën prej 20 mijë eurosh.