Një tjetër banesë ka rënë pre e grabitjes. Ngjarja ka ndodhur sot në orët e para të mëngjesit, rreth orës 01.20.
Burime policore bëjnë me dije se është vjedhur banesa e shtetasit Zef Beka, banues në Ishull Shëngjin, i cili është këngëtar i muzikës popullore.
Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor që ka konstatuar se 3 persona të maskuar, me anë të dhunës kanë vjedhur shumën monetare prej 1.500.000 lekë të reja si dhe një mjet Golf 5 në pronësi të këngëtarit.
Falë veprimeve të shpejta hetimore ky mjet është lokalizuar dhe po ndiqej nga policia, por autorët e dyshuar të gjendur nën presionin e ndjekjes, kanë braktisur makinën, e cila është gjetur e rrëzuar në një kanal anë rruge. Autorët e grabitjes janë larguar duke përfituar nga errësira.
Janë shoqëruar disa persona si dhe janë sekuestruar disa sende në cilësinë e provave materiale.
“Po punohet për identifikimin e kapjen e autorëve për veprën penale “Vjedhja me dhunë, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 139 – 25 i Kodit Penal” thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës.





