Tre persona me maska dhe me automatik kanë grabitur banesën e kambistit Vilson Mara në Maliq, mbrëmjen e së shtunës.

Sipas dëshmive të familjarëve, janë grabitur 3 milionë lekë të vjetër, ndërsa Policia deklaron se grabitësit kanë marrë 1 milionë lekë të vjetër, si dhe kanë tentuar të vjedhin edhe 2 televizorë.

E para që ka konstatuar grabitjen ka qenë bashkëshortja e kambistit Lindita Mara. Ajo ka deklaruar për mediat se në momentin që ka hyrë në oborrin e shtëpisë ka parë tre persona me automatik në dorë dhe të maskuar që po dilnin nga banesa. Në këtë moment grabitësit janë larguar me vrap pasi kanë parë gruan të hynte në shtëpi.

Kambisti ka deklaruar se ka telefonuar në numrin e policisë por askush nuk i është përgjigjur, ndaj janë detyruar të shkojnë vetë në Komisariat.