Policia ka arrestuar një 23-vjeçar pasi akuzohet për vjedhje me armë, ngjarje e ndodhur më datë 22 shtator në Bulqizë.
Në pranga ka rënë shtetasi Florenc Xheleku, banues në Bulqizë, për të cilin Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në shtëpi" për veprën penale "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".
Ky shtetas dyshohet se me datë 22.09.2018, në bashkëpunim me dy të tjerë, të maskuar dhe me armë, kanë hyrë në banesën e shtetasit A.M, 50 vjeç dhe pasi kanë kontrolluar për sende me vlerë, janë larguar duke marrë automjetin tip "Benz" në pronësi të të zotit të banesës, ku më pas ky automjet u gjet nga policia i braktisur.
Menjëherë pas ngjarjes Policia e Bulqizës, ka ushtruar kontroll në banesën e këtij shtetasi i cili ishte me masë dënimi "Arrest në shtëpi".
Shërbimet e Policisë nuk e kanë gjetur në banesë 23-vjeçarin pasi ka ndodhur ngjarja, ndaj u ngritën pika kontrolli grackë, ku mbrëmjen e djeshme është kapur në afërsi të një lokali.
Në momentin e kapjes nga forcat blu ky shtetas ka bërë rezistencë ndaj punonjësve të Policisë dhe ka tentuar të largohet por është prangosur.
Vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet hetimore do ti referohen Prokurorisë Dibër për veprat penale "Vjedhje me armë", "Armëmbajtje pa leje", "Plagosje e lehtë", "Veprime në kundërshtim me Gjykatën" të kryera në bashkëpunim, "Largim nga vendi i vuajtjes së dënimit", parashikuar nga nenet 140,278, 89, 321, 323, 25, të Kodit Penal.





