28 korrik 2015 – Policia e Durrësit zbardh disa detaje mbi mënyrën si u realizua grabitja që ndodhi mesditën e djeshme në afërsi të Rinasit, ku u vodhën 100 mijë euro. Raportohet gjithashtu se është gjetur dhe mjeti i cili u grabit.

Autorët kanë qenë me një mjet tip 'Benz 200', ngjyrë e zezë, me xhama të errët me targë ‘AA 621 ES’, të cilët i kanë bllokuar rrugën automjetit tip Benz fuoristradë e modelit ML 320, me targë TR 7755T, mjet i cili po drejtohej nga shtetasi C.H.

Nën kërcënimin e armës, grabitësit e kanë zbritur nga makina 61-vjeçarin C.H. dhe janë larguar duke i marrë makinën, një armë zjarri pistoletë të cilën e kishte me leje dhe shumën prej 100 000 eurosh.

Grabitësit janë larguar menjëherë nga vendngjarja, dhe specialistët e krimeve po punojnë për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Ndërkaq, efektivët e policisë kanë arritur të gjejnë Benz-in e grabitur, i cili ishte braktisur nga autorët pranë lumit Terkuze, raporton policia e Durrësit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Krujë për veprat penale “Vjedhja me armë” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” në bashkëpunim.

/S.L. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/