Dy ditë më parë, në aeroportin e Rinasit 5 persona të maskuar arritën të vjedhin 2.7 milionë euro të një banke të nivelit të dytë.

Ekspertët shprehen se vjedhjet janë kosto për bankat pasi dëmtojnë imazhin e tyre, në një kohë që procedurat për marrjen e parave kërkojnë kohë.

Të gjitha paratë që bankat transportojnë jashtë janë 100% të siguruara dhe kthehen nga kompanitë e sigurimit.

Pesha e kthimit mbrapsht të tyre nuk bie mbi shoqëritë shqiptare, pasi ato kthejnë vetëm një përqindje të caktuar të vlerës, shumën më të madhe e japin shoqërinë e risigurimit jashtë.

“E gjithë shuma që do humbasë do të rikuperohet, në zbatim të të gjithë procedurave të sigurimit të fondeve por kërkon një farë kohe”, – është shprehur për Tv Klan, Elvin Meka, ekspert për çështjet bankare.

Rastet e vjedhjeve kanë rritur dhe primin e sigurimit për këto banka, kosto e cila paguhet nga qytetarët.

Elvin Meka fajëson për këto ngjarje shoqëritë e sigurimit fizik dhe kërkon ashpërsim të Kodit Penal, duke vendosur burg për kompanitë që nuk plotësojnë standardin.