Tre persona të maskuar vodhën dy ditë më parë kasafortën me 300 mijë dollarë nga kompania e ndërtimit “Albavia”, ku aksioner është edhe bashkëshorti i deputetes së Partisë Socialiste Mimoza Hafizi, Hasan Hafizi.
Ngjarja ndodhi të dielën rreth orës 02:30 në rrugën “Sulejman Devina” në Tiranë në pallatin “Fati”, ku sipas njoftimit të policisë, autorët mundën të merrnin 6 mijë dollarë. Por, sipas gazetës “Panorama”, në kasafortë kanë qenë rreth 300 mijë dollarë, kjo bazuar në deklarimet e punonjësve të kompanisë.
Nga vjedhja nuk janë konstatuar shenja të thyerjes apo hyrjes me forcë, çka hedh dyshimet se autorët kane bashkëpunuar me ndonjë person të brendshëm.
Sipas hetimeve të kryera deri më tani, dyshohet se autorët kanë qenë të veshur me xhupa të errët dhe me kapuça dhe të tre kanë mundur të zbresin kasafortën duke e hipur në një mjet dumdum, triçikël që përdoret për transportin e mallrave.
Policia po verifikon provat e mbledhura në vendngjarje dhe ka gjetur disa gjurmë gishtash në derën e jashtme të kompanisë, të cilat i kanë dërguar për ekzaminim.