Ragip Hajdini, një prej grabitësve të avionit me para në Rinas, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës, ku ishte i shtruar prej 4 ditësh.
Hajdini ishte personi i gjashtë i arrestuar për grabitjen e parave në Rinas më 9 prill 2019. Ai njihej me pseudonimin “Daja” nga Kosova. Arrestimi i tij u bë më 26 prill te Shkëmbi i Kavajës në një pronë të tijën.
Ai akuzohej si pjesë e grupit që bënë grabitjen në Rinas dhe për strehimin e kreut të bandës Admir Murataj para se të vritej pas grabitjes në Rinas, pasi ishte në kërkim për grabitjet e tjera në Shqipëri dhe ato në Greqi.
Emri i tij u zbulua pas dëshmisë së të penduarit, Alkond Bengas, i cili përmendi për herë të parë para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin “Daja”.
Në kërkim si të përfshirë për grabitjen e parave nga avioni në pistën e Rinasit janë ende Talo Çela dhe Aleks Pepa.





