Maskat u morën makinën me dhunë, dyshohet se e dashura police futi në kurth 25-vjeçarin. Ngjarja e rëndë ndodhi në periferi të qytetit të Korçës, ku dy të rinjtë u nxorën forcërisht nga automjeti dhe duke i lënë në mes të rrugës.
Burime konfidenciale bëjnë me dije se, 23- vjeçarja me inicialet E.G., punonjese policie, ka qenë brenda në automjetin e grabitur bashkë me 25-vjeçarin D.A., me të cilin kishte lidhje dashurie prej disa kohësh.
Grupi hetimor i ngritur për zbardhjen e ngjarjes dyshon se, punonjësja e policisë ka organizuar gjithçka dhe se ka njohje me autorët. Policia ende nuk ka rënë në gjurmën e dy autorëve si dhe të makinës së grabitur, ndërsa ka dyshime se autorët mund të jenë larguar jashtë Shqipëisë, raporton “Panorama”.
Me dhjetëra patrulla janë ngritur postbllok në gjithë qarkun por ende nuk ka persona të shoqeruar apo të dyshuar. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:30 të së shtunës në rrugën që të çon drejt malit Moravë, ku dy personat e maskuar ushtruan dhunë me sende të forta ndaj 25-vjeçarit D.A., banues në fshatin Burimas, i cili ndodhej brenda mjetit të tij tip “MercedesBenz”, me targa AA 875 II, i shoqëruar me shtetasen E.G, banuese në Pojan.
Dy të dashuruarit kishin ndaluar makinën në zonën e njohur si “Depoja e Ujit”, zonë e cila shfrytëzohet nga shumë çifte për të kaluar momente intime, kur dy persona të maskuar dhe me armë u janë afruar. Nën kërcënimin e armës, dy personat e paidentifikuar kanë nxjerrë jashtë çiftin dhe më pas kanë marrë mjetin e janë larguar me shpejtësi.
Ata kanë përfituar nga fakti se mjeti ishte i ndaluar dhe kanë nxjerrë forcërisht dy të rinjtë nga makina, ndërkohë që kanë goditur në pjesën e fytyrës 25-vjeçarin si dhe kanë qëlluar në ajër për t’i trembur. Menjëherë pas largimit të autorëve të grabitjes, çifti është drejtuar në komisariatin e Korçës ku ka denoncuar ngjarjen e rëndë.
Ndërkohë, gjatë marrjes në pyetje, dy të rinjtë kanë mohuar të kenë konflikte me persona të tjerë, që mund të çonin në këtë ngjarje. Gjatë krehjes së zonës Policia ka gjetur edhe dy gëzhoja pistolete në vendin e ngjarjes ndërsa nuk dihet nëse këto kanë lidhje me ngjarjen në fjalë dhe janë duke u kryer verifikimet.
“Dy persona ende të paidentifikuar, i janë afruar mjetit tip “Benz” me targa AA 875 II, të ndaluar në rrugë në pronësi të shtetasit D.A, 25 vjeç, banues në Burimas, i cili ndodhej brenda tij së bashku me shtetasen E.G, 23 vjeçe, banuese në Pojan.
Nga deklarimet e marra rezulton se, njëri prej autorëve të ngjarjes nën kërcënimin e armës tip pistoletë ka nxjerrë forcërisht nga mjeti drejtuesin e tij dhe më pas kanë marrë këtë të fundit duke u larguar me shpejtësi”, bën të ditur Policia.
Ndërkaq, burime konfidenciale bënë me dije se, hetimet janë shtrirë në disa pista, ku më kryesorja është ajo e ngritjes së kurthit nga e dashura e tij police. Krahas kësaj, po verifikohet e kaluara e 25-vjeçarit dhe të dashurës së tij, për të parë nëse kanë pasur konflikte të mëparshme apo histori në të kaluarën e tyre, që mund të provokonin një ngjarje të tillë. /Panorama/





